Forum

Mentor Mripa përgjigjet në pyetjet tuaja

Bekim Bislimi
03.08.2008

Të nderuar lexues,

Në rubrikën tonë të re “Intervista online” do të mund të takoheni me personalitete të ndryshme. Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tyre dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ata, pasi të jetë mbyllur forumi.

Mysafiri ynë i radhës është këngëtari Mentor Mripa.

Mentor MRIPA është i lindur më 13.03.1973 në Mitrovicë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka vijuar në Prizren dhe në Pejë, në shkollën për fëmijë dhe të rinj të verbër dhe me të parë të dobët. Si person me nevoja të veçanta (i verbër që nga lindja), ai ka mbaruar shkollën e mesme të fizioterapisë, ndërkaq, aktualisht ka përfunduar vitin e parë të studimeve në Degën e Gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht jeton në Prishtinë. Në sferën e muzikës, Mentor Mripa ka marrë pjesë në festivalin “Akordet e Kosovës”, gjatë viteve 1995 dhe 1996. Është fitues i trefishtë i festivalit të këngës “Zambaku i Prizrenit” në Prizren (2000, 2002 dhe 2004), fitues i çmimit për tekstin më të mirë të këngës në “Show –Fest 2003” në Prishtinë dhe fitues i “Çmimit të publikut” në festivalin “Lyrafest” në Gjakovë, në vitin 2007. Në vitin 2006, festivali “Zambaku i Prizrenit” i ka ndarë çmimin falënderues për kontributin e dhënë në këtë festival. Mentor Mripa është personi i parë i verbër në Kosovë që ka luajtur në një video film (“Një pallto për babanë tim në burg” – 1997). Ka punuar në Radio Mitrovica në vitin 1999, në Radio Besa (Prizren) në vitin 2000, si dhe në Radio Heliks (Prizren) në vitin 2001. Në vitin 2002 ka filluar të punojë në Radio Kosova në Prishtinë, ku edhe punon aktualisht.

Ky forum është mbyllur

Komentet 1-10 (nga 12)
 
Nga : Betimi
22.08.2008 15:12

Zoti Mentor, jeni nga Mitrovica. A mendoni se do te ndahet ky qytet apo do te bashkohet? Sa kane bere institucionet tona per te, kush ka faj... Faleminderit!

2008-08-22

Mitrovica është një tregim i dhimbshëm, një plagë që rrjedh edhe më tutje. Me vetë faktin që kjo çështje tërhiqet zvarrë dhe përgjegjësitë hidhen si top ping-pongu, kjo do të thotë se nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me çështjen e Mitrovicës deri më tani. Nuk dua të besoj se mund të ndahet Mitrovica, por gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Serbët, atje në pjesën e okupuar të Mitrovicës, kanë formuar një mini-shtet dhe nuk duan të dinë për institucionet tona, ndërkohë që e gjithë bota i përkëdhel. Çfarëdo që vjen nga Serbia, faktori ndërkombëtar e përshëndet dhe... jeta vazhdon. Fajin, askush nuk ka dëshirë ta marrë mbi vete, por ai është i të gjithëve, sidomos i atyre që thonë se integrimi është shumë afër, ndërkaq realiteti flet ndryshe. Ky është mendimi im.


Nga : Fehmi Prej : Çirez-Skenderai
21.08.2008 12:58

Pershendetje!
Jam Fehmi Rama nga Drenica, afer diplomimit ne departamentin e Shkencave Politike dhe nje vit per perfundim kam ne inxhinieri elektrike.
I nderuar, ju uroj qe te vazhdoni me pune. Jeni njeri pozitiv dhe jepni moral, ne emisione, ne radio apo televizion, ku ju kam degjuar apo qofte dhe ne kenget qe ju kendoni,
Llogaritni ne mua, une jam i gatshem qe te inkorporohem kudo qe te shihet e nevojshme!
Suksese dhe cdo te mire!

2008-08-21

Faleminderit Fehmi. Unë përpiqem që ta kryej punën time dhe obligimet me nder. Rezultatet mund t’i vlerësoni ju, publiku, të cilëve ju respektoj maksimalisht. Punë të mbarë, shëndet dhe të gjitha të mirat.


Nga : dardan Prej : prishtine
19.08.2008 18:48


Ju pershendes. Jam i interesuar te di se nga cili orientim politik jeni? Apo, me mire te shprehem, ciles parti i takoni, se ne shqiptareve me shume na intereson partia .
Ju deshiroj sukses.

2008-08-19

Hahahaha.... Gjithmonë, deklaratat e mia janë të sinqerta, prandaj edhe në këtë rast, lidhur me këtë çështje, do të jam i tillë. Unë nuk jamë anëtar i asnjë partie politike dhe nuk besoj se do të anëtarësohem ndonjëherë në ndonjë parti politike. Mendoj se kur një njeri është jashtë partive politike, është më i lirë dhe më objektiv të japë vlerësime për ndonjë çështje, ose ndonjë veprim të partive politike dhe dukurive që i përcjellin ose që reflektojnë nga to. Prandaj, unë kam mendimet e mia për çdo çështje dhe i përcjell në vazhdimësi aktualitetet. Por, mund t’ju them se kam respekt të madh për të gjithë ata individë që kanë luftuar për Kosovën, qofshin të rënë ose të gjallë, si dhe për të gjithë ata individë që kanë kontribuar në ndonjë formë për lirinë e Kosovës, qofshin ata në parti politike ose jashtë tyre.


Nga : Jehona Ademi Prej : France
17.08.2008 11:54

Tung z. Mripa.
Jeni njeri nga gazetaret me te mire te Radio Kosoves. Desha t'ju uroj per punen dhe profesionalizmin tuaj, ngase profesionalizmi juaj i sherben mases - neve!

2008-08-17

Ju faleminderit shumë për vlerësimin tuaj. Unë vetëm përpiqem që punën ta bëj si duhet dhe nëse e arrij këtë, ateherë jam shumë i lumtur.


Nga : Arben Jakupi Prej : Irak
17.08.2008 11:53

Tung Mentor!
Une punoj ne Bagdad. Ketu ka shume shqiptare. Shumica nga ne e degjon emisionin e nates ne Radio Kosova. Desha te te pyes, a ka mundesi qe emisionet tuaja te reprizohen ndonjehere, sepse ndonje na ik nganjehere dhe jemi shume te interesuar qe t'i degjojme shumicen. Tung nga Iraku!

2008-08-17

Faleminderit Arben. Ju uroj shumë shëndet dhe punë të mbarë, ty dhe të gjithë shqiptarëve që punoni në Irak. Për fat të keq, për dallim nga emisionet televizive, emisonet në radio reprizohen shumë rrallë. Shumica e tyre transmetohen në mënyrën e drejtpërdrejtë dhe vetëm ndonjë emision, që nga redaksia vlerësohet si tejet i veçantë dhe i rëndësishëm për reprizim, ai i ofrohet sërish audiencës.


Nga : Pellumb Islami Prej : Prishtine
17.08.2008 11:50

Pershendetje z. Mripa!
Sa jeni të kënaqur me punën e mediumit ku punoni ju, pra të Radio Kosovës dhe të Televizionit të Kosovës?

2008-08-17

Përshëndetje Pëllumb. Unë përpiqem që puna ime të jetë e tillë që të të vlerësohet pozitivisht. Unë mendoj se nëse do ta vlerësoja punën e Radio Televizionit të Kosovës, kam frikë se mund të jem subjektiv, për shkak se jam pjesë e këtij mediumi. Megjithëkëtë, mund të them se ka gjëra që më pëlqejnë, por edhe të tilla që lënë për t'u dëshiruar. Gjitmonë ka vend për përmirësime, duke u nisur që nga unë, por edhe te të tjerët.


Nga : Vlora
14.08.2008 12:40

Pershendetje zoti Mripa. Tek kush keni gjetur perkrahjen me te madhe per punen qe beni?

2008-08-14

Faleminderit Vlora. Nëse kam arritur diçka në jetë, më së shumti i falënderohem Zotit. Gjatë formimit tim, në vazhdimësi kam pasur përkrahjen më të madhe nga familja ime dhe nga miqtë e shumtë që i kam. Këtë përkrahje vazhdoj ta kem ende dhe për këtë gjë, unë i falënderoj të gjithë.


Nga : nagipi Prej : kamenicë
08.08.2008 09:37

Mentor ju përshëndes dhe ju përgëzoj për të gjitha të arriturat në jetën tuaj. Ju përgëzoj edhe për emisionin që po e udhëheqni me plot sukses në Radio Kosovë, duke na kënaqur me ata mysafirë në studio që po i sjellni. Ju përshëndet Nagipi

2008-08-08

Faleminderit Nagip. Ju uroj shëndet dhe të gjitha të mirat edhe juve.


Nga : sami cocaj Prej : Australi
07.08.2008 10:13

I nderuar Mentor

Ju jeni person me aftesi te shumta qe per shume njerez ato aftesi jane te kufizuara. Talenti juaj ne shume sfera profesionale edhe aftesia per te qene njeri me plot kuptimin e fjales, juve ju ben me te afte se shume te tjere qe kane sy e nuk shohin, e te tille per fat te keq ka shume.
Une jetoj ne Australi dhe zeri i moderatorit te Radio Kosoves ka qene per ne dhe i vetmi kontakt konstant me Kosoven. Juve ju kemi degjuar permes interneti dhe nganjehere edhe jemi inkuadruar ne emision. Po ju per neve keni qene Kosova, ajo qe e lame aq larg e perfunduam ne mergim. Ju na e larguat dhimbjen e mallin e Prishtines. Ju na perkujtuat se ne jemi te dikujt, e jo te vetem. Te faleminderit per te gjitha ato qe ben me aq aftesi te papershkrueshme.

Pershendetje Sami Cocaj

2008-08-07

Faleminderit Sami. Unë mendoj se të gjithë njerëzve u mungon diçka që shihet ose nuk shihet. Motoja ime është kjo: “Ma gjeni një njeri me aftësi të pakufizuara”. Kur kam pranuar që të nis punën e gazetarit, e kam paramenduar se çfarë mund të më presë. Nuk kam pritur dhe nuk pres që dikush të më ofrojë më shumë sesa të tjerëve, por kam dëshirë që dikush t’i paragjykojë ose t’i mohojë aftësitë e mia. Do të thotë, nuk e pranoj diskriminimin as pozitiv, e as negativ. Unë vetë e kam bërë zgjedhjen për profesionin dhe uroj që t’ia dal. Ndjehem shumë mirë, nëse kam arritur që t’ua lehtësoj mallin për vendlindjen juve, mërgimtarëve, të cilët keni kontribuar mjaft për Kosovën, sidomos në ditët më të vështira.


Nga : ardita Prej : GJERMANI
05.08.2008 17:30

Zoti Mripa, jeni i mrekullushem. Mund te them se jeni shembulli me i mire per personat qe kane probleme me te pamurit. Dhe, pyetja ime eshte: a jeni ne ndonje shoqate, ku i ndihmoni personat me keto probleme, sepse Ju mund te jepni vullnet dhe elan per jete. Me respketin me te madh ju pershendes Ju dhe familjen tuaj.
Vetem vazhdoni keshtu sepse jeni i pazevendesueshem.

2008-08-05

Faleminderit Ardita. Fillimisht, dua t’ju them se nuk ka njeri të pazëvendësueshëm për ndonjë lëmi të caktuar. Kam qenë njëri prej tre anëtarëve të Bordit drejtues të Unionit të të Verbërve të Kosovës, deri në vitin 2001, kur dhashë dorëheqjen, për arsye subjektive. Nuk më pëlqen mënyra e organizimit aktual brenda këtyre shoqatave, prandaj nuk e shoh veten si pjesë e tyre. Mendoj se edhe më tutje, me këtë formën time të punës, pa qenë anëtar i ndonjë shoqate, mund t’u ndihmoj njerëzve që kanë nevojë. Kam marrë pjesë edhe në koncerte humanitare dhe në aktivitete të tjera që ishin në funksion të sensibilizimit të çështjeve që kanë të bëjnë me personat me nevoja të veçanta. Kur është fjala për ndonjë aktivitet të mirëfilltë, të këtij lloji, asnjëherë nuk them JO.

Komentet 1-10 (nga 12)